Tuesday, June 17, 2008

LULJETA LLESHANAKU🌹 Cikël poetik 🌹KUR DASHURIA JEP NJË SHENJË


LULJETA LLESHANAKU
Poezi


KUR DASHURIA JEP NJE SHENJË..


Ajo futet ne rrjedhën e gjërave me arrogancë,
si heshtja që pason trokitjet e çekiçit të gjyqtarit
gjatë seancës.
Gjithe qenia perkundet, nga puhia me e vogel
nje are e ardhur gruri
që pret për t‘u korrur.
Tamam atehere kur ti kujton se je e mbrojtur,
kur kujton se tashmë je vetëm një shpinë
një shpinë e fortë, pa gjoks, pa bark,
pa kërthizë,
(veçanërisht pa kërthizë)
si tavani i qilarit
mbi ushqimet e konservuara për dimër.
Zmbrapsem një moment
e gatshme për t’ia filluar çdo herë nga fillimi
me një paletë te pastër piktori
e një vrimë të errët në mes.
E nis për të disatën herë atë rrugë
fundin e së cilës e njoh mirë,
si prekjen metalike ne xhep të fishekut
të cilin, gjatë rrethimit,
ushtari i mirë
e ruan për vete.


NDËRGJEGJE E GJYMTUAR

Lakuriq nate
ndërgjegja jote e gjymtuar
verbohet e përplaset në dritë!

E tmerrshme të gdhihesh e të ngrysesh
me këtë shpend të zi në shpirt!


ME TY


Do të ulem në kënd të buzës
si në një shkëmb, pranë një ujëvare
e sigurt se s'do më rrëmbejë shtjellë e fjalëve.

Do të ulem në kënd të syrit
si një zambak i mbirë në ujë pranë bregut
me fletë të vogla që t'mos zë shikimin.

Se unë në fund të fundit, ç'jam?
- Një dallgë e ngrirë në hapësirë
e shkulur nga deti i gjoksit tënd.
Shtrin duart të më arrish e s'më arrin.


KËMBANAT E SË DIELËS

Shpirti im
përplaset si gjuhëza
në faqet metalike të këmbanës.

E dëgjoni
është këmbana e së dielës
është këmbana e meshës së madhe të së dielës
kur njerëzit dëgjojnë predikimet për një jetë
të pamëkat
dhe kujtohen të çojnë lule në varreza.


















NJË PALË SANDALE NËN PEMË

Kaq ishte e gjitha.
Trupi, fryma dhe pema
Tashmë janë në sintoni të plotë.
Pema ? Cila pemë ?!! Nuk ka asnjë pemë përtej dritares
Që të mund të lakmojë
Paqen e trupave, si të nxjerrë nga deti
cep më cep.
Duhet pak guxim
për të hapur sytë e për t‘u ndeshur
me atë gjë të frikshme , që na prêt më pas
si të shohësh hënën, hënën në kupë të qiellit, në pikë të ditës
-tamam atë gjë që do të ishte kaq mahnitëse në kohën e vet.
Barku im kontrakton rrallë
si kokë kobre
Me gjahun në grykë
I yti, merr e jep, pa pauza, pa nënkuptime,
Përmbyllës, si nje manifest.
Asgjë më nuk do të ketë më atë forcë
Por vetëm therma të vogla pa klithëm mbi porcelan
Thika ëmbëlsirash.
Rutinë.
dhe përfytyrimit I vjen fundi
kur era trupëzohet në një send.
Cila pemë ?!!
Tashmë fryma është e rregullt
gramatikë.,
fije bari dhe baltë.
fole e sapobraktisur nga synimi.
Buzëqeshim lehtë, pa thonj, pa thembra,
si një palë sandale
rrëzë trungut të pemës.


IKËN ZOGJTË

Ikën zogjtë
ikën dhe si brenga lanë foletë këtu
dimri si kupa i mbushi me shira
i mbushi dhe i piu
i piu dhe u deh
nga vetmia.


SHAH

Është vjeshtë. Venat në mermer
bymehen nga shirat.
Varret e të afërmve të mi,
me vetëm katër gisht kohë midis,
të vënë në radhë
si një varg makinash të bllokuara
në kryqëzim me hekurudhën.
Lufta ka marrë fund. Ajo dorezë farkëtari
që i mbante dikur, si gishtat, të gjithë bashkë
është hedhur, e panevojshme, tej.
Jashtë saj, jashtë thjesht ca të panjohur
që presin vetëm trenin të kalojë
në krahun tjetër të rrugës...
Aroma e dheut
Të kujton shtëpinë
Ku mungon një orë e varur në mur.
Ua pastroj emrat me kujdes në pllaka
Vitet.., si plagë të vogla në gjunjë
Dashurinë.., që tashmë djeg më pak
Se një gjemb trëndafili.
Në të hyrë të varrezës
Roja që luan shah me veten në kabinë.


AROME QUMËSHTI
( Ne kujtim te H.Kupit )

Tani,
pas shumë e shumë vjetësh
mbase mund të pyes veten
se ç‘më lidhte me atë burrë shtatëdhjetëvjeçar,
me atë trung të vjetër qershie.
Ndanim shumë kohë bashkë…
Tregonte ëndrrat e një nate më parë
me lëvizje të shkathëta të duarve
si lopatat që pastrojnë rrugën nga dëbora.
Lexonte fletët e reja e ditarit
të shkruara gjatë vapës,
duke i paraprirë me gishtin tregues, çdo presjeje,
çdo fjale, çdo pauze …
si fati u paraprin gjërave nganjëherë..
Flitnim anglisht
një anglishte arkaike, të mësuar në burgje
si i thone “ajrit”, “families”, “urës”
“zërit” si I thonë,
me një “o” të dëshpëruar, që mezi kapej,
si një fije e thinjur floku në krëhër.
Prej tij mesova te pyes “Si je ?”
duke e shikuar tjetrin drejt e në sy.
Mbi oxhak ,
fotografite e grave te familjes
të gjalla e të vdekura, njëlloj të përkulura në skaje,
me duar të kryqezuara ne bark
si shtepi të gozhduara nga epidemitë.
E njëjta gje, çdo ditë,
për orë e orë me radhë
deri kur unë shfaqja shenja padurimi
apo qumështi I deles derdhej mbi zjarr.
Kohë më vonë, kur ditaret do të zhdukeshin,
kur qershia do te pritej, oxhaku do te shembej
e fotografitë do të çgozhdoheshin nga heshtja e tyre,
do të ndjeja therëse në hundë aromën e qumështit të djegur
-afati I leximit kishte skaduar !
Nuk isha më fëmija
qe të mund t‘i besosh testamentin e leximit,
…se ti flasesh një fëmije
eshte njëlloj si të shkelësh mbi gjethe të njoma
pa pritur kurre të të pyesin “pse” dhe “si”.


BERLIN. HOTEL CITADINE.

Eshte mbrëmje. Jashtë dy- tri taksi te vëna ne pritje
të ndonjë kalimtari që ka humbur rrugën.
Dhoma është ashtu siç e lashë në mëngjes. Asnjë ndryshim.
përveç çarçafëve të ndërruar
nga duar që unë nuk i kam njohur kurrë
dhe zhumës së lehtë të shiut që mbi xhama kercet
si një tufë lulesh të thara
kur u ndërrojmë vendin.
Dhe i njejti mesazh në sekretarinë telefonike:
një zë burri,
i regjistruar muaj më parë, për një tjetër grua,
për dikë që është fshirë me të njëjtit peshqirë
të larë dhe parfumuar.
E kthej mesazhin mbrapsht, e dëgjoj disa herë…
Kryqëzohem në kohë me një histori të panjohur
duke shmangur pyetjen:”Ç‘farë mund të ketë ndodhur më pas ?”
Një telefonatë që vjen nga një kabinë telefonike,
në nxitim e sipër, ndoshta i përmallur,
fshin grimin nga fytyra ime
pa shumë përkushtim, shpejt e shpejt,
si atë të një figuranteje pas shfaqjes.
Më në fund do të shtrihem ne atë shtrat
te rregulluar nga duar anonime,
te tendosem midis gjerave te mia te humbura
( pyetjeve që u ngutën të merrnin përgjigje )
si nje fill tregues prej mendafshi
midis fleteve te sapolexuara te librit.


MISTERI I LUTJEVE

Në familjen time
lutjet bëheshin fshehtas
me zë të ulët, me një hundë të skuqur nën jorgan,
gati mërmëritnin,
me një psherëtimë në fillim dhe fund
të hollë, e te paster si nje garze.
Përreth shtëpisë,
kishte vetëm një palë shkallë për t‘u ngjitur
ato të drunjtat, të mbështetura gjithë vitin pas murit,
për riparimin e tjegullave në gusht para shirave.
Në vend të engjejve,
hipnin e zbritnin burra
që vuanin nga shiatiku.
Luteshin duke u shikuar sy më sy me Të,
si në një marrëveshje kryezotësh
duke kërkuar nje shtyrje afati
„Zot, me jep forcë..!”, e asgjë më shumë,
se ishin pasardhësit e Esaut,
të bekuar, me të vetmen gjë që mbeti prej Jakobit,
-bekimin e shpatës
Në shtëpinë time
lutja ishte një dobësi,
që nuk përflitej kurrë,
si të bërit dashuri
dhe njësoj
si të bërit dashuri
pasohej nga nata e frikshme e trupit.




No comments: