Tuesday, June 17, 2008

LULJETA LLESHANAKU 🌹Poezi 🌹FLASHBACK


LULJETA LLESHANAKU


FLASHBACK 1

Është Gusht. 1972. Zagushi.
Jeshilojnë vetëm zverqet e hamenjve
që ngarkojnë mobiljet në një kamion.
“Kujdes, mos të shkelni lulet !”- këshillon ime më
lulet që do të thahen vetëm pas tri ditësh.
Shtëpia zbrazet si me rreze Rëntgen
Dhe keqardhja e fqinjve
Që shkrin si kompresë më akull
Në cilëndo pjesë të trupit që ta vësh.
Do të shpërngulemi diku tjetër
Ku mirënjohja do të ngrijë ballkon në fytyrë
me aventurën e zgjimit të mbërthyer mbi një shkop
si gjelat prej sheqeri .
Jam vetëm tri vjeç. Nuk e di se ç‘janë premtimet.
Dhe nuk më kanë treguar akoma
se fëmijëria pa premtime është si bukë e zënë pa majâ
mjerisht e ëmbël, e forte dhe pa vrima.
Kurse im atë nuk duket gjëkundi.
Im atë ende nuk ka lindur.
Ai do të lindë në një kapitull tjetër,
Shumë kohë më vonë
Atëherë kur unë të ndjej nevojën të bëhem mbrojtëse e dikujt,
duke u grumbulluar më vështirësi pak hije midis këmbëve të mia
si trup mikrofoni.

FLASHBACK 2

E djelë. Nga tabanet e këpucëve
në korridor
tretet plazma e dëbores dhe amnezia e rrugëve e shkurtra.
Llamba 150W në mes të dhomës,
si një copë e verdhë djathi, në një çark mërzie.
Ime më punon me shtiza, duke numëruar nën zë
ajo e di gjithmonë sa duhet, dhe kur ndërrohen radhët
e ngjitur si një copë stuko në qoshe të asaj dritareje
që sa vjen e bëhet më e qartë.
Ajo është një jaskëk i vogël gjilpërash
që e njeh mrekullisht artin e nënshtrimit.
përpiqet të ma mësojë edhe mua,
edhe sime motre
Tri kukulla Matrioshka, të renditura sipas madhësisë
ajo e fundit-unë
e pashpërbëshmja.


FLASHBACK 3

Zemër nëntori. Era fryn si ndërrim epokash,
Dëbora dhe fytyra e sime mëje
presin në prapavijë
të vërtetojnë filozofinë e tyre
të të pashmangmes.
Dritat, si një varg milingonash të çojnë
në dhomën e bukës.Unë jam nusja.
Fundi i ceremonies. E ndërsa bëhem gati për gjumë
njezet e një karfica m‘i heqin me kujdes nga koka.
aq sa vitet e mia.
Nuk di pothuajse asgjë mbi jetën.
Di vetëm se në kthesa të forta
përvoja vlen më pak se dy drita të ndezura në gjoks
Përpiqem ta fsheh lumturinë time nën pushin e bardhë
si një portokalle e qëruar me kujdes
Kam dalë dinakërisht prej profecisë sime gjenetike
si prej një shpelle të gërryer nga vetmia
e kapur fort pas barkut të dashit
Po të mundohem të shtyj pak perden
me dy gishtat e ngjyrosur në majë,
dy hije shkojnw në harmoni mbi asfaltin e zi
instumentisti dhe violinçeli, pas koncertit
njeriu edhe antiprofecia.

1 comment:

Unknown said...

Poesia e ksaj poete nuk me jep shume iniziativ per ta lexuar nuk e di ciar i mungon me duket sikur do te treguoj ato grimca te vogla te jetes qe nuk i ka gelltitur pa i dhe nje kuptim poesis.